Pas filmit debutues që theu akullin dhe arriti të fus filmin e parë të Kosovës në Berlinale, filmi i dytë i regjisorit Samir Karahoda bëhet filmi i parë nga Kosova që përzgjidhet në mesin e 10 filmave të shkurtë që do të garoj për ‘Palmën e Artë’ në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës.

Filmi ‘Pa Vend’ që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve.

‘Personalisht i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të ping pongut “Lidhja e Prizrenit” në krye me trajnerin Rifat Rifati për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave të cilët akoma vazhdojnë stërvitjet në kushte jo normale. Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bënë edhe më krenar si ekip dhe dua t’i falenderoj të gjithë për kontributet e tyre individuale’, theksoi regjisori Karahoda.