UEFA pritet ta hedhë poshtë kërkesën e bashkiakëve të Mynihut për ta ndriçuar me ngjyrat e ylberit stadiumin e futbollit të qytetit gjatë ndeshjes së Gjermanisë kundër Hungarisë që do të zhvillohet të mërkurën.
Bashkiakët e Mynihut donin të shprehnin me këtë veprim solidaritet me komunitetin LGBT+ në Hungari, pasi qeveria hungareze miratoi javën e kaluar një ligj që ndalon shpërndarjen e informacioneve që mendohet se promovojnë homoseksualitetin ose identitetet gjinore jo binare në radhët e të miturve.
“Ky ligj përbën një përpjekje të re për heqjen e të drejtave të lezbikeve, të homoseksualëve, të biseksualëve dhe të transgjinorëve dhe Mynihu mbështet diversitetin, tolerancën dhe barazinë e mirëfilltë në sport dhe në shoqëri.” – thuhet në kërkesën e këshillit bashkiak të Mynihut drejtuar UEFA-s, e cila u mbështet nga të gjitha grupet politike të përfaqësuara në këshill.
Një ditë më parë UEFA ndërpreu hetimin që kishte nisur ndaj kapitenit të kombëtares së Gjermanisë Manuel Neuer, i cili mbajti në krah një shirit me ngjyrat e ylberit si pjesë e Javës Ndërkombëtare të Krenarisë./DW