Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha gjatë një vizite në Kosovë se autoritetet e Kosovës duhet t’i përmbahen marrëveshjes së vitit 2013.
Sipas kësaj marrëveshje, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të hyjë në veri të Kosovës pa leje nga KFOR dhe NATO.
“Unë pres që autoritetet e Kosovës t’i përmbahen marrëveshjes që bëmë në 2013 që forcat e sigurisë së Kosovës të mos vendosen në veri pa një marrëveshje paraprake me KFOR-in dhe NATO-n. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të gjetur ekuilibrin e duhur dhe shmangur situatat që mund të minojnë dhe dobësojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur gjithçka që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd,” tha Stoltenberg.
Pas një takimi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Stoltenberg tha në një konferencë për shtyp se ai kishte ardhur për të përcjellë mesazhin se NATO do të qëndrojë në Kosovë për të ndihmuar dhe krijuar një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e vendit.
“Mesazhi im është se NATO është këtu për të qëndruar. Misioni ynë është i bazuar në kushte dhe KFOR-i është në Kosovë për të ndihmuar, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për ët gjitha komunitetet. Gjithashtu mbështesim të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, ne ndjejmë përgjegjësi për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë që gjithashtu është i rëndësishëm për të gjithë rajonin,” tha Stoltenberg.
Jens Stoltenberg nuk përjashtoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, por tha se duhet konsensus i të gjithë anëtarëve.