Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me siglën “Tepër Sekret”, të cilat i përkasin vitit 1985, ku ndodhet një korespondencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me ambasadën shqiptare në Paris, lidhur me kërkesën e palës franceze dhe presidenti të asaj kohe, François Mitterrand, të cilët kërkonin që të nderonin shkrimtarin e njohur shqiptarë Ismail Kadare, me dekoratën “Legjioni i Nderit”, e cila ishte dekorata më e lartë që shteti francez akordonte për të shtetasit e huaj.

Korespondenca e plotë në mes diplomatit Kujtim Hysenaj me eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, si: Ministri, Reiz Malile, zv / Ministri Sokrat Plaka etj., lidhur me kërkesën e palës franceze, si dhe udhëzimet që i vinin atij nga ‘qendra’, se si duhej të vepronte dhe si t’u përgjigjej diplomatëve francezë në takimet e bisedat me ta!

Në mesin e viteve ’50, kur në Bashkimin Sovjetik, falë liderit të sapoardhur në fuqi Nikita Sergejeviç Hrushçovi dhe mbështetësve të tij, po kryhej procesi i destalinizimit, diku në Itali filloi të qarkullonte një libër, tip broshure, ku përshkruheshin me detaje tmerret e luftës civile (1918-1922), në atë vend stërmadh ku kishte “triumfuar” Revolucioni i Tetorit, që solli në fuqi bolshevikët.

Libri “Doktor Zhivago”, që ishte shkruar si tip pamfleti nga shkrimtari rus Boris Pasternak, thuhej se ishte mbështetur, financuar dhe shpërndahej nga shërbimet sekrete të SHBA-ve (CIA), të cilat donin t’i bënin të ditur botës mbarë se nga çfarë ‘djepi’ kishte dalë ajo ‘pjellë’ e regjimit stalinist, që vetë disa nga protagonistët e aktorët e tij po e demaskonin dhe po i’a çirrnin maskën.

Pas Italisë, po nën kujdesin dhe patronazhin e plotë të amerikanëve (të kamufluar nën Fondacionin “Rockefeller”), ai libër që vazhdonte të çudiste botën mbarë, arriti të futej edhe në vetë Bashkimin Sovjetik. Kështu, ndërsa udhëheqja staliniste e Moskës mundohej ta fshinte apo t’i nxirrte ‘jashtë’ ato tmerre që kishin përjetuar pothuaj të gjithë popujt që jetonin në të gjitha republikat e BRSS-së, amerikanët i’a fusnin “kontrabandë” përsëri brenda.

Dhe në kuadrin e gjithë kësaj fushate ‘letraro-politike’ të sponsorizuar nga amerikanët, asokohe emri i Pasternakut dhe libri i tij kapën “majat” e botës dhe autori u propozua për çmimin ‘Nobel’, i cili i’u akordua në vitin 1958. Edhe pse nga presionet e shumta, ai refuzoi që ta merrte çmimin ‘Nobel në Letërsi’, misioni i amerikanëve tashmë ishte kryer më së miri.