Brenda 4 muajsh Thumana do të jetë shndërruar në një qytezë të re me 278 apartamente në 14 pallate dhe 155 banesa individuale.

Kështu u shpreh dje Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau pamje nga kantieri i rindërtimit në Thumanë, ku ndër të tjera po punohet për “infrastrukturë moderne, shëtitore, terrene sportive, hapësira të gjelbra, si dhe shkollën e kopshtin “Ramazan Jangozi”, por edhe qendër komunitare në shërbim të banorëve”.

Kryeministri vlerësoi se “punimet kanë ecur me ritme rekord e në tetor do të fillojë akomodimi i familjeve në banesat e reja”.

Ndërkohë ai shtoi se “në fund të vitit përfundon i gjithë siti, përfshirë objektet publike për të cilat po punohet paralelisht nga Bashkia, e ku do të përqendrohen Njësia Administrative, Qendra Shëndetësore dhe një pjesë e mirë e shërbimeve publike për qytetarët”.

Kantieri i rindërtimit në Thumanë përfshin 16 ha truall ndërtimi dhe 37 426 m2 infrastrukturë rrugore.

Po ashtu, janë 3456 m2 ndërtim në objekte publike, shkollë, çerdhe, qendër shëndetësore, qendër komunitare, si dhe 46 148 m2 hapësira publike, parqe, hapësira sportive dhe 408 vendparkime./ata