Komuna e Deçanit shpalli dje gjendjen e emergjencës pasi mbi 900 persona janë paraqitur ditët e fundit me simptoma helmimi.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj deklaroi se pas gjendjes së krijuar të helmimit të qytetarëve që dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijshëm, u mor vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente në të gjithë territorin e komunës.

Pas këtij vendimi, deklaroi ai, detyrohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan, Drejtoria për Financa e Komunës së Deçanit, Drejtoria për Mbrojtjes, Njësia Zjarrfikëse dhe e shpëtimit, Drejtoria për Inspeksion, KRU “Hidrodrini” dhe NPL “Higjiena”, janë të detyruar të punojnë me kapacitete të plota njerëzore dhe humane që t’u dalin në ndihmë qytetarëve të Komunës së Deçanit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Deçan duke u bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë me urgjencë ngjarjen, për zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve.

“Pas lajmit shqetësues për helmimin e një numri të madh të qytetarëve të komunës së Deçanit, kam biseduar me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të cilët më kanë njoftuar për gjendjen e qytetarëve të helmuar dhe masat që janë marrë nga niveli qendror dhe komunal për t’ju qëndruar pranë qytetarëve të prekur. Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë”, deklaroi Osmani.

“Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalim të kësaj situate pa pasoja. Si Presidente e Republikës do të mbaj kontakte me të gjitha institucionet qendrore dhe komunale për t’u informuar lidhur me masat e ndërmarra për adresimin e këtij rasti shqetësues për shëndetin e qytetarëve tanë”, theksoi Osmani./ata