Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen ndaj Covid-19 në mënyrv që të mos rrezikohet mbyllja e vendit.
Vishaj në një deklaratë për Telegrafin tha se gjendja për momentin në Klinikën Infektive është e qëndrueshme, por që pritet të ketë një valë të re të infektimeve.
“Në Klinikën Infektive kemi 11 pacientë, dy prej tyre janë në intensiv. Gjendja është stabile, nuk kemi rritje të të hospitalizuarve, por që ka mundësi të vjen valë e re e infektimeve, duke parë edhe rastet në Evropë. Vaksinimi është zgjidhja e vetme. Nëse nuk bëhet vaksinimi masiv, mbyllja është e pashmangshme në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”, tha ai.
Prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë vaksinuar mbi 200 mijë persona ku deri më sot 102.210 qytetarë kanë marrë të dyja dozat.