Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifaj, ka njoftuar se dy nga dhjetë viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci janë nga Komuna e Rahovecit.

“Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne”, ka njoftuar Latifi duke iu shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Latifi ka falënderuar edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, dhe Kolonel, Atashe Ushtarak i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, Skënder Hoxha, për kujdesin dhe interesimin për këtë ngjarje të rëndë.

“Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë”, ka shkruar tutje Latifaj.

Në Kosovë është sot ditë zie për viktimat që pësuan të dielën në një aksident rrugor në Kroaci.

Dhjetë  qytetarë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Në mesin e viktimave është njëri shofer, ndërsa dy nga pasagjerët e plagosur janë të shtrirë në njësi të kujdesit intensiv në Sllavonski Brod.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.

Të gjithë të mbijetuarit e aksidentit ndodhen ende në Kroaci. Mësohet se autoritetet e Kosovës dhe ato të Kroacisë po punojnë për organizimin e sjelljes në Kosovë të udhëtarëve të palënduar dhe të atyre me lëndime të lehta.

Autoritetet thanë se shoferi që po drejtonte autobusin, u ndalua nga policia.

Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit./Oranews