Policia rrugore ka bërë bilancin e gjobave të vendosura ku në total janë vendosur 1690 gjoba dhe janë pezulluar 63 patenta. Në aksin rrugor Fier-Vlorë janë konstatuar makina që udhëtonin me shpejtësi mbi 166 km/h.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore e Fierit me radarë, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në Bypass, për të parandaluar aksidentet rrugore.Për 6 orë monitorim, 19 Leje Drejtimi të pezulluara për shpejtësi që varionin nga 145 km/h deri në 166 km/h dhe 62 masa administrative për shpejtësi, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të patentës. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë pezulluar 63 Leje Drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Në të gjithë vendin janë arrestuar 11 shtetas, nga këta 6 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa patentë. Po gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë vendosur 1690 masa adminstrative për parakalime të gabuara, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit e kaskës mbrojtëse dhe parkime të gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe automjeteve.