Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës vendimin për krijimin e Komisionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ky Komision do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe koordinimin e të gjitha institucioneve që ndjekin ekzekutimin e vendimeve penale.
Komisioni i pavarur nga Ministria e Drejtësisë ka 9 anëtarë, përfaqësues të Kryeministrit, Kuvendit, Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, Dhomës së Avokatisë dhe ministrive përgjegjëse për drejtësinë, arsimin, financat e shëndetësinë.
Roli i Komisionit është mjaft i rëndësishëm, si në aspektin procedurial të ekzekutimit të vendimeve penale, ashtu edhe në bashkërendimin e punës për politikat penitenciare dhe zbatimin e tyre me organizmat monitorues si Komiteti i Parandalimit të Torturës, Avokati i Popullit, shoqërinë civile, etj.
Komisioni shërben si një mekanizëm kombëtar për trajtimin e ankesave, kryerjen e verifikimeve të nevojshme, monitorimin e punës së IEVP-ve dhe çdo problematike në to, duke trajtuar me përparësi çdo çështje dhe informuar Ministrin e Drejtësisë./atsh