Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një deklaratë për mediat nga Voskopoja ka bërë të ditur se situata e zjarreve në këtë zonë është e rrezikshme.
Ai thotë se në të gjithë vendin janë arrestuar mbi 10 persona për zjarrëvënie të qëllimshme.
“Para rreth një ore, mbi Voskopojë pati një shpërthim zjarri, një vatër që nuk nxitoj të them e qëllimshme pasi patëm 5 vatra të ndryshme, shumë e rrezikshme si vatër pasi pylli është i dendur me pisha dhe bimësi të lartë dhe zjarri ka shpërthyer në zemër të këtij pylli. Gjithsesi ka disa rrethana pozitive pasi nga njëra anë kufizohet nga një përrua ndërsa nga ana tjetër ka një sipërfaqe më të zhveshur. Kemi një front të përcaktuar se ku do ta ndërpresim zjarrin, sapo kemi bërë një konsult me komandantin e zjarrëfikëseve të Bashkisë së Korçës. Kemi forca të mjaftueshme dhe për pak do të kemi përforcime për të pritur momentin për ndërhyrje. Pylli është aq i dendur sa që nuk i lejon forcat zjarrëfikëse të ndërhyjnë. Ka një zgjidhje sapo të bjerë tymi më kanë garantuar se do të ndërhyjnë për të shmangur përhapjen e zjarrit. Është fatalitet nëse do arrijmë të dështonim këtu. Risku është shumë i lartë nëse kapërcejnë zjarret në zonat më të dendura në Voskopojë”- u shpreh ministri.
Situata në Llogara dhe në Karaburun vijon të jetë e vështirë. Gjithashtu Ministri thotë se janë aktivizuar dhe vatra të reja në Fier dhe në Thirrë të Kukësit. Sipas tij, flakët janë përhapur mbi tunelin e Kalimashit ku po punohet për shuarjen e tyre.
“Kemi patur situatë të vështirë dhe vazhdon të jetë në Llogara. E kemi menaxhuar një vatër goxha të vështirë. Forcat zjarrëfikëse kanë luftuar për të shmangur përhapjen e zjarrit në zonat e banuara. Kemi 60 forca në lartësinë e Karaburunit. Ne përcaktuam strategjinë se si do ndërhyjmë për të shmangur përhapjen e flakëve në parkun e llogarasë. Kemi patur gjatë ditës edhe vatra të reja sicc janë ato në Fier. Dy vatra në Kukës vijojnë të jenë problematike. Jemi të shqetësuar për vatrën në Thirrë, mbi tunelin e Kalimashit. Kemi ndërhyrë nga ajri, është një situatë e vështirë por do ia dalim dhe aty” – tha Peleshi.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, zjarret nuk kanë ndikuar në turizmin. Ai thotë se të gjitha vatrat në jug janë kontrolluar dhe nuk kanë përbërë shqetësim për turistët që të ndërpresin pushimet e tyre.
“Këto janë vatrat më të rrezikshme. Ne kemi mjetet tona por kemi dhe ndihma, dy helikopterë me kapacitet të madh që kanë vazhduar punën. Një është në territory ndërsa një tjetër është në Rinas që është në gatishmëri. Kanë kapacitet 10 mijë litra. Një helikopter çek. Kemi patur fluturime me helikopterin i cili ishte dhe në Voskopojë të Forcave të Armatosura që bëjnë vetëm transportime ushqimesh dhe efektivë. Shumica e forcave e kalojnë natën në vatrat e zjarrit duke luftuar kundër flakëve. Nuk duam të kemi një bilanc më të keq të viktimave, kemi pasur një viktimë në Gjirokastër. Nuk duam që zjarrët të shqetësojnë turistët. Turistët nuk kanë kuptuar dhe nuk e kanë ndjerë tymin dhe rrezikun në zonën e Llogarasë. Prioritet është jeta e tyre. Përgjithësisht në gjithë jugun e Shqipërisë nuk kemi pasur cënim të turizmit” – tha ministri.
Duke iu referuar situatës në Voskopojë, Peleshi thotë se zjarret janë të qëllimshme. Sipas tij, temperaturat e ulëta në këtë zonë nuk favorizojnë aktivizimin e vatrave nga shkaqe natyrore ndaj ato janë nga dora e njeriut. Përsa i përket arrestimeve, ai thotë se në të gjithë vendin janë vendosur në pranga mbi 10 persona.
“Asnjë shtet nuk mund të pretendojë që të vendosë nën kontroll të gjithë territorin e vetë. Janë zjarre që rindizen pothuajse çdo dy-tre orë. Nuk ka asnjë shkencë që të shpjegojë se si në një moment të shpërthejnë zjarre në 5 zona të ndryshme. Këtu jemi në malësi, është më freskët dhe nuk mund të vijë nga dora e njeriut. Ka pasur arrestime sot. Ka shumë njerëz që janë në ndjekje. Deri tani ka kaluar numri 10 i arrestimeve. Policia ka prova. Kam dhënë mesazhe të ndryshme për komunitetin që të na vendosin në informacion” – u shpreh së fundmi Peleshi.