Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi shpalli sot zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor 2021.
“Sot nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarët e Këshillave Bashkiakë dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, për kryetarët e komunave dhe për kryetar të Qytetit të Shkupit. Sipas kuadrit ligjor dhe afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021″, tha Xhaferi.
“Unë pres që institucionet kompetente të sigurojnë zgjedhje në nivelin e pritur nga një anëtar i NATO-s dhe kandidati për anëtarësim në BE. Unë i bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të respektojnë plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe të veprojnë në përputhje me Kodin e Etikës, si edhe të sigurojnë që fushata dhe vetë dita e zgjedhjeve të zhvillohen në frymën e demokracisë, procesit zgjedhor të ndershëm dhe barazisë për të gjithë qytetarët”, shtoi ai.
Vendimi i nënshkruar sot, në përputhje me afatet dhe praktikën e përcaktuar, do t’i paraqitet organit kompetent për zhvillimin e zgjedhjeve, Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut./ ervo