Gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave në qytetin Plimëth, në jugperëndim të Anglisë. 23-vjeçari Xhek Dejvison, që u gjet vetë mes viktimave, është identifikuar si autori dhe mësohet se fillimisht qëlloi anëtarët e familjes së tij para se ta vijonte masakrën jashtë banesës.

Policia britanike ende nuk e ka zbuluar motivin e masakrës që tronditi qytetin e Plimëthit dhe që la të enjten 6 persona të vrarë.

Djali ishte një youtuber nihilist i cili në videot e tij ankohej se ishte i shëndoshë dhe i shëmtuar dhe nuk ishte tërheqës për gratë. Në një video të fundit nga dhoma e tij ai thoshte se e ndjente veten si “Terminator” para se të kryente masakrën.

Dy femra dhe dy meshkuj u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa një grua humbi jetën në spital.

Mes viktimave mësohet se ishte vetë autori si edhe një vajzë 10-vjeçare.

Dëshmitarët thanë se sulmi nisi rreth orës 18 nga një person i veshur me rroba të errëta dhe i pajisur me një armë gjysmautomatike.

Në fillim pati britma ndërsa hyrja me forcë e autorit në një banesë të qytetit anglez u pasua me të shtëna armësh dhe aty brenda u qëlluan e ëma dhe vajza që mbetën viktimë.

Mësohet se masakra vijoi në parkun ngjitur kur i dyshuari qëlloi të pranishëmit e rastësishëm.

Zona e Kejhamit qëndroi e izoluar nga policia deri kur u kuptua se edhe autori, i identifikuar më vonë si Xhek Dejvison, ishte mes të vrarëve.

Britania ka rregulla strikte për mbajtjen e armëve dhe një nga normat më të ulëta në botë nga fatalitetet prej armëve të zjarrit.

Masakrat në vend janë të rralla dhe masat për parandalimin e tyre janë ashpërsuar që nga viti 1996 kur një person me armë të regjistruar hyri në një shkollë skoceze dhe hapi zjarr ndaj nxënësve e mësuesve, duke lënë 18 të vrarë.