Rukija e rozmarinës

Hajde letra bixhozi, vaj plazhi, gazeta. ..

Kushedi sa herë na ka bezdisur ky refren që e dimë përmendësh nga shitësit e ndryshëm që kalojnë fare pranë nesh në çadrat ku po pushojmë. Shmangim shikimin, kthehemi nga ana tjetër deri sa hapat e tyre të ndihem më larg.

Rukija është 46 vjeçe, por në pamje duket shumë më e madhe në moshë. Ajo ndaloi pranë çadrës tonë sepse unë po e vëzhgoja sesi ajo mbante aq shumë çanta, një në shpinë, një të madhe të mbështetur nën peshën e shpatullës e të tjera nëpër duar. Si për ironi, në çantën e saj shkruhej “1/2 mile” dhe unë po bëja llogari sa kilometra ecën ajo çdo ditë…

Rukija shet çaj mali, sherebelë, e lloje të ndryshme çajrash të dëgjuara apo jo. Më sugjeron të blej rigon e ndonjë erëz që t`ja hedh pulës, që kur ta provojë burri të më dojë më tepër.

Në një tjetër qese kishte pjeshka bahçe, pak të forta por ngulmoi që ishin bio.

Kur e pyeta sa rrugë përshkon çdo ditë, ngriti supet dhe qeshi me dhëmbët që i dilnin jashtë gojës:

-Ku di unë, dal në pikë të mëngjesit e kthehem deri sa të shes pjesën më të madhe, nga ora 5, 6 pasdite. Kam tre fëmijë dhe burrin invalid e nuk mund të ankohem.

Ajo hapi dorën e rrudhur, mori 300 lekët që i dhashë për një tufë çaj mali e dy qese rozmarinë, picërroi sytë, rregulloi napën që kishte lidhur rreth qafës dhe mori frymë thellë si një peshëngritëse për të marrë serish çantat e lëna në tokë. Ato pak fjalë që këmbyem bashkë iu duken sikur i dha pak gëzim, madje donte më shumë të fliste, po koha nuk priste.

Mirupafshim Rukije, unë do të harroj shumë shpejt, po do vihem në mendime për jetën tënde sa herë të përgatis pulën me rozmarinë për burrin tim që të më dojë më shumë.