Rikthehen sërish momentet e panikut në fushën e futbollit. Në ndeshjet e javës së pare të Ligue 1, një lojtar i Bordeaux është rrëzuar përtokë, teksa qëndronte në mur, para ekzekutimit të një goditjeje dënimi në ndeshjen ndaj Marseille.
Ishte vetëm minuta e 5-të, kur Samuel Kalu, u rrëzua papritur në tokë, duke shkaktuar frikë te lojtarët e tjerë, të cilët ndaluan lojën dhe thirrën menjëherë mjekët. Më pas Kalu u ngrit dhe qëndroi në fushë, por pas pesë minutash u zëvendësua. Ende nuk dihet cili ishte problemi shëndetësor që i shkaktoi atë gjendje të fikëti futbollistit nigerian.
Gjatë “Euro 2020” e gjitha bota e futbollit përjetoi një dramë dhe momente të ngjashme paniku, kur Christian Eriksen u rrëzua në mes të fushës pas një ataku kardiak. Futbollisti danez arriti të mbijetonte mrekullisht, falë ndërhyrjes së shpejtë të shokëve dhe më pas të ekipit mjekësor që i dha ndihmën e parë vendimtare për jetën.