Sektori publik numëroi rreth 170 mijë të punësuar në fund të vitit të kaluar por më shumë se 45% janë me arsim 8 e 9 vjeçar dhe të mesëm teksa vetëm gjysma e punonjësve në sektorin publik janë me arsim të lartë.
Sipas të dhënave të INSTAT të raportuara nga Monitor numri i personave me arsim fillor ka ardhur në rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit.
Në vitin 2000 në sektorin publik ishin të punësuar mbi 190 mijë persona ku 15% e tyre ose mbi 30 mijë persona ishin me arsim 8 vjeçar.
Në fund të 2018 vetëm 7% e punonjësve të sektorit publik ishin me arsim fillestar.
Pas vitit 2000 kanë pësuar rënie dhe punonjësit me arsim të mesëm, të cilët aktualisht përbëjnë 38% të totalit nga 49% në fillim të viteve 2000.
Nga ana tjetër është rritur dukshëm pjesë e të punësuarve mne arsim të lartë që në fund të 2018 përbënin gati 54% të totalit të punësuarve në shtet.
Pas vitit 2007 qeveritë forcuan kriteret e arsimit për pranimin në administratë duke i stimuluar me paga më të larta.
Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë u vunë si kushte diplomat e arsimit të lartë dhe masterat e nivelit të dytë.
Forcimi i kritereve sa i pëërket diplomave dhe shpërthimi i universiteteve private gjatë dekadës së kaluar e rritën numrin e personave me arsim të lartë në shtet.
Me gjithë rritjen e cilësisë arsimore, administrata shqiptare vuan nga mungesa e efiçencës dhe një burokraci e lartë.
Ndryshimi i shpeshtë i punonjësve publikë si pasojë edhe e rrotacioneve politike e ka dëmtuar profesionalizmin dhe ekspertizën.
Raportet e monitorimit nga BE dhe partnerë të tjerë si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar theksojnë në mënyrë të vazhdueshme se sektori publik në Shqipëri ka nevojë të reformohet, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor për të përmirësuar shërbimet publike./monitor