Gjasht vjet nga ndarja e Artistit të Popullit Albert Vërria. Personazhet që e bënë të pavdekshëm nga Xha Sulo, Nuri Beu, Soll Lili, Memeci etj. Realizimi në moshën 32 vjeçare i rolit të Kapedanit, dhe si e kujton Bujar Asqeriu takimin e parë
6 vjet pa Artistin e Popullit Albert Vërria, pse aktorin e thërrisnin me emrat e personazheve, Xha Sulo, Nuri Beu, Soll Lili, Memeci etj. Realizimi në moshën 32 vjeçare i rolit të Kapedanit dhe si e kujton Bujar Asqeriu takimin e parë
Nga Ergys Alushi
A ka kënaqësi e lavdi më të madhe për një aktor se ta thërrasin e ta kujtojnë me emrin e personazheve që ka luajtur. Bertin, pas daljes së filmit “Agimet e stinës së madhe” e deri në ditët e fundit të jetës thërrisnin në rrugët e Vlorës me emrin e Soll Lilit. Por, e thërrisnin edhe “Xha Sulo” apo “Kapedani”. Filmi dhe personazhi që janë lavdia dhe pavdekësia artistike e Albert Vërrisë.
Nga Ergys Alushi
Albert Vërria ka lindur më 3 shtator 1936 në qytetin e Fierit. Shkollën fillore e të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Më 1963 përfundoi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Ka fituar titullin “aktor” në vitin 1963 dhe që pas mbarimit të shkollës ka punuar si aktor profesionist në teatrin “Petro Marko” të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe ka interpretuar mbi 90 role në teatër dhe mbi 40 role në film, duke u kthyer në një nga aktorët më të mirë të vendit.
Është nderuar me shumë çmime e medalje në festivalet kombëtare
Ka titujt;
Artist i Merituar
Artist i Popullit
Çmimin e parë të Republikës.
Çmimin e madh të karrierës
Qytetar Nderi i Qarkut Fier
Qytet Nderi i qytetit të Vlorës
Shuriku –roli i parë
Në kujtimet e tij, Albert Vërria kujtonte se që kur ishte i vogël, në moshën 3-4 vjeç shkonte në qytetin e lashtë të Apolonisë. Habitej nga ato mure, nga ai reliev, nga ata gurë të latuar. Arratia e përfytyrimit e çonte mendjen e tij “bredharake” prej fëmije kureshtar në kohëra thuajse virtual, ku imazhet që vinin nga fantazia përplaseshin me muret dhe relievet urbane të mbetura mbi dheun e atij qyteti antik si dëshmi e një kohe të vdekur. Dhe aty recitonte, “luante” mbi sheshin e vogël, hipte në shkallare, futej nëpër gurët ciklopikë. Ulej atëherë në shkallët e teatrit të “paprishur” dhe mendonte se çfarë historish rrëfeheshin aty, si luhej. Magjia e atij teatri iu ngulit thellë në mendje, u bë pjesë e ëndrrës së tij, e kujtesës dhe s’iu nda asnjëherë. Shumë shpejt filloi të improvizonte në shkallaret e shtëpisë së vet. Përfytyronte spektatorin përballë, ndonëse nuk kishte asnjë aty përveç vetvetes. Imagjinata harlisej dhe ai nisi të sajonte veprime e imitime fëminore me luftëtarë e shpatarë sypatrembur, ose me frikacakë e dinak, fshatarë që shisnin perime nëpër rrugë, gjitonë të tij. Në oborrin e shtëpisë filluan të mblidheshin fëmijët e lagjes, të cilët qeshnin e gazmonin me “lojën” e tij.
Ishte i vogël, por ja, mësuesi i tij kur vuri në skenë një pjesë të shkurtër me nxënësit e shkollës rolin kryesor ia dha atij. Ai i bëri pyetjen vetes: “Përse ma dha mua kur kishte plot nxënës të tjerë?”. Por kur u dha shfaqja, u pa se mësuesi nuk kishte gabuar. Po. Ajo shfaqje pati sukses. Dhe qysh atëherë, atë nuk e thërrisnin më me emrin e tij por me emrin e personazhit Shurik. Për herë të parë ai ndjeu, ndonëse turbullt, magjinë e teatrit, magjinë e lojës së aktorit, copëtimin e tij në dy qenie a dy identitete.

Fillimet e para si aktor profesionist
Aktivizimet me role në pjesë teatrale që vendoseshin në shkollë dhe pjesëmarrja në veprimtari të ndryshme artistike që organizoheshin në shkolla, e spikatën si një fëmijë me të ardhme në fushën e artit, kryesisht të aktrimit. Me çeljen e shkollës së lartë për aktor “Aleksandër Moisiu’, ai hyri në konkurs. S’ishin pak kandidatë të regjistruar për t’u futur në atë shkollë, por plot shtatëdhjetë konkurrentë, dhe prej tyre do të përzgjidheshin vetëm 16 vetë. Ai konkurroi dhe tek reagimet, fjalët e sytë e pedagogëve e ndjeu që kishte fituar. Disa aty për aty i thanë “shkëlqyer”. Dhe kur juria u shpreh me superlative për të ardhmen e tij, atëherë s’dinte më se sit a fshehte gëzimin. Albert Vërria kujtonte gjithnjë me respekt pedagogët e tij të shkollës Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, rusen Nina Tifranova si dhe gjithë të tjerët. I dëgjonte mendimet e tyre si të ishin perëndi, pasi ata kishin qenë idhujt e tij, ikonat para të cilave duhet të lutej, të shpresonte, të përfalej, dhe më pastaj të kërkonte me ngulm dhe të shquante pas fjalëve të tyre “udhën” e jetës, përkryerjen e artit, dritën e famës. Pas përfundimit të shkollës do të emërohej si aktor profesionist në teatrin “Petro Marko” të Vlorës. Në qytetin bregdetar, vetëm një vit më parë ishte krijuar teatri profesionist, 1962, dhe prej 10 vjetësh ishte krijuar estrada profesioniste. Teatri dhe Estrada përbëheshin nga aktorë të mirë, të cilët kishin krijuar individualitetet e tyre dhe ishin të dashur për vlonjatët e kohës. Në fundin e vitit 1963, trupa e teatrit dramatik, pjesë e së cilës ishte dhe aktori i ri, Albert Vërria do të vendoste në skenë dramën “Familja e peshkatarit’, shkruar nga Sulejman Pitarka, me regji të Nazmi Bunjakut. Ishte shfaqja e dytë që teatri vendoste brenda një kohe të shkurtër që nga viti 1962 kur u krijua. Mes aktorëve të tjerë do të spikaste dhe i riu Vërria. “Teatri profesionist i Vlorës është një nga grupet më të reja të vendit, akoma s’ka mbushur moshën njëvjeçare. Bërthama e tij përbëhet nga disa aktorë me përvojë skenike, ndërsa shumica dërrmuese e të tjerëve, janë aktorë të rinj, ish-punëtorë, nxënës, arsimtarë ose nëpunës që e dashuronin artin dramatik e që me guxim u ngjitën në skenën e teatrit për të mëshiruar heronjtë e veprave dramatike. Provat e para në skenë ata i dhanë me dramën “Fundosja e skuadrës”, në të cilën aktorët kaluan para një prove me të vërtet serioze……”( gazeta “Drita” -14 korrik 1963 )