“Ujku nuk priti ta lusnin më. Ai bëri një goxha kërcim dhe e kullufiti menjëherë gjyshen e shkretë.”

Marsida Simo (Sociologe)

Kjo është vetëm një pjesë e shkëputur nga një përrallë klasike për fëmijë, ku ujku gënjen vogëlushen me kësulë të kuqe dhe në fund gllabëron atë dhe gjyshen e saj.

Të rritur nga përralla të tilla, disa fëmijë krijojnë  etiketime për disa kafshë, ku më pas mund t`i kategorizojnë si të frikshme dhe jo fort të pëlqyeshme. Kjo mund të jetë një nga mënyrat e formimit të zoofobisë.

Zoophobia njihet si frika ndaj  kafshëve, e cila klasifikohet kryesisht për disa kafshë të veçanta. Kjo frikë nuk është ajo e zakonshmja, por  një frikë iracionale ose edhe thjesht mosdashje të një kafshe specifike pranë.

Shembuj të zoofobisë  do të ishin (apifobia) është ajo e bletëve, frika nga merimanga (arachnophobia), zogjtë (ornithophobia) dhe gjarpërinjtë (ophidiophobia). Zoophobia nuk është domosdoshërisht frika ndaj kafshëve të rrezikshme ose kërcënuese, të tilla si qentë e egër, ujqërit, krokodilët etj). Madje nuk do të thotë që kjo frikë është e madhe kur kafsha ka përmasa trupore gjigande.

Ka njerëz që kanë frikë nga një mi apo karkalec.

Në mendjen e tyre përfytyrojnë qindra skenarë sikur prania e këtyre kafshëve do i sjellë pickime apo kafshime që do i rrezikojnë jetën. Njerëz që vuajnë nga kjo fobi ndjejnë angështi që në momentin kur e imagjinojnë kafshën apo e shohin në një foto.

Edhe në librin e tij “Psikoanaliza” Sigmund Freud, përmend fobinë e kafshëve si një nga shqetësimet më të shpeshta psiko-neurotike në mesin e fëmijëve.

Le të përmendim edhe përralla të tjera të frikshme të cilat prindërit ia tregojnë të vegjëlve, ku shumica prej tyre kanë ujqër që hanë kecat e vegjël, e dhelpra dinake që shqyejnë pula. Po ashtu shumë prindër për të krijuar një autoritet bindës, i formojnë fëmijës një imazh i cili do të jetë aty pas dere nëse i vogli i tyre nuk e konsumon të gjithë ushqimin. Shpesh herë ky imazh është një kafshë. (Haje se e thirra ujkun…, Mbaroje kafshatën e fundit se të ha qeni rrugës..)

Fobia është edhe përcjellëse. Për shembull, një nënë e cila ka frikë nga një qen, formon frikën edhe tek fëmija e saj. Ky fëmijë shikon dhe kopjon reagimin të cilin e mendon si të domosdoshme për tu mbrojtur.

Zoofobia është prezente edhe tek të rriturit të cilët nuk kanë arritur të vetë gjejnë ekuilibrin dhe racionalitetin e kësaj fobie. Nëse mendoni që keni një shqetësim të tillë është mirë të flisni me një specialist pasi çdo kohë që kalon shkakton shqetësim ose mosfunksionim në jetën e përditshme.