Ka nisur zhbllokimi i pikave kufitare të Jarinjës e Bërnjakës, pasi sot hyn në fuqi marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Mediat kosovare raportojnë se KFOR-i tashmë ka nisur vendosjen atje, ndërsa kanë publikuar momentet nga aksioni në fjalë.
Këto pika kufitare u bllokuan që prej 20 shtatorit, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Kosovës. Për mënyrën se si do të bëhet zhbllokimi i këtyre vendkalimeve kufitare, ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Sipas Bislimit, në këto pika do të vendosen fillimisht forcat e KFOR-it dhe pastaj në orën 08:00 pritet të fillojë edhe zhvendosja e barrikadës dhe e policisë speciale dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.
“Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre”, ka deklaruar Bislimi.
Ai tha se nuk ka ndonjë sekuencë se cila palë duhet të tërhiqet para tjetrës, meqenëse zhvendosja do të bëhet në mënyrë të njëkohshme.