Vijon monitorimi i qarkullimit në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë dhe Tiranë – Elbasan – Tiranë, me makinën inteligjente.
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme deri në orën 22:40, në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë dhe Tiranë – Elbasan – Tiranë, duke e vendosur makinën inteligjente në punë, me intervale kohore të shkurtra në shumë pika dhe njolla të zeza ku kanë ndodhur më parë aksidente rrugore, por edhe në afërsi të vijave të bardha, janë konstatuar 461 shkelje për shpejtësi.
Gjatë verifikimit rezultoi se krahas shpejtësisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, konkretisht:
104 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 97 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 76 për parakalime të gabuara.
Njëkohësisht, 51 prej tyre u shpallën alert, pasi janë konstatuar nga makina inteligjente me shpejtësi mbi 30 km/h, shkelje që krahas masës administrative, shoqërohet edhe me pezullim të lejes së drejtimit.
Gjithashtu, nga makina inteligjente janë konstatuar 98 drejtues mjetesh, të cilët krahas shpejtësisë mbi normat e lejuara, janë konstatuar edhe në shkelje të dytë me rrezik të madh për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për mosdhënie përparësie këmbësorëve në vija të bardha.