Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur të djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e Monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata e pensione të veçante.
Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë. Dëshmia e rrallë e znj, Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit, (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.), e cila tregon të gjithë historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, (djalit të vogël të Ismail bej Qemalit), nën regjimin komunist të Enver Hoxhës!
“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist, nuk ja arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.
Kështu e kujtonte në mes të tjerash zonja Esma Hurshiti Vlora (bashkshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912), takimin e të birit të Ismail Qemalit në vitin 1945, me Mehmet Shehun, e cila veç kësaj na tregonte edhe anën e panjohur të familjes Vlora, gjatë viteve të regjimit komunist, ku vjehrri i saj Qamili, djali i vogël Ismail Qemalit, përfundoi në kampet e burgjet e diktaturës dhe familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.
Ndonëse të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, që nga viti 1912-të, kur plaku i Vlorës ngriti flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij, janë përulur me respekt, çdo 28 nëntor për ta përkujtuar atë, të pakët kanë qenë ata që e kanë ditur se, mbas 28 nëntorit të 1944-ës kur komunistët erdhën në pushtet, ende në Tiranë jetonin dhe dy djemtë e Ismail Qemal Vlorës. Po kështu ndonëse shteti komunist organizonte ceremonitë e mëdha në përkujtimin e ditës së flamurit, për djemtë e nipat e plakut të Vlorës që jetonin ende, nuk u fol asnjëherë dhe për ta u mbajt një heshtje e thellë, duke u fshirë fare nga historia e Shqipërisë, pjesë e së cilës, ata kishin pasur fatin të ishin, duke qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të babait tyre.
Fati i trishtë i dhjetë fëmijëve të Ismail Qemalit!
Plaku i Vlorës që ka hyrë në historinë e Shqipërisë, me aktin patriotik të ngritjes së flamurit e shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e 1912-ës, ishte martuar me një vajzë greke të quajtur Kleoniki, me të cilën patën 10 fëmijë, gjashtë djem e katër vajza (një vajzë nuk i jetoi). Tre vajzat ishin në moshë më të madhe se djemtë: Mahmudi, Tahiri, Ibrahimi, Ahmedi, Qazimi dhe Qamili, të cilët kishin lindur të gjithë, në Stamboll kur Ismail Qemali ishte deputet në parlamentin turk.