Nga Dritan Hila
Sot FSHF është një nga bizneset më fitimprurëse, por aspak sportive. Stadiumet janë bosh, ndërkohë shumica e ekipeve që kanë bërë emër në futbollin shqiptar ose janë eleminuar ose janë tërësisht anemikë. Kjo, jo vetëm për faj të Armando Dukës por edhe për faj të tij. Tregtari i lavatriçeve dhe vezëve e ka kuptuar se futbolli është një ndër bizneset më të mira, dhe ka 20 vite që e ka kapur për fyti dhe nuk e lëshon. Është një ndër rastet ku edhe në Shqipërinë që nuk përbën çudi asgjë, ky është rasti i çudisë. Njëzet vjet në krye të federatës janë një rekord që bën lajm edhe këtu. E ndërkohë, federata është kthyer në një qendër korrupsioni. Fonde të UEFA-s qe shkojnë për fusha private dhe fëmijë qe duhet të paguajnë për t’u stërvitur, trafiqe pronash, shitblerje ndeshjesh, të gjitha nuk janë më lajm. Futbolli shqiptar shikohet si një gropë e zezë në Evropë dhe vetë shqiptarët tashmë janë mësuar që qytete të cilat dikur ishin vetëm stacion pushimi autobusësh, të dalin disa herë kampion.