Parlamenti Europian miratoi me shumicë dërrmuese votash një rezolutë ku dënohet agresioni rus ndaj Ukrainës, bëhet thirrje për tërheqjen e ushtrisë dhe shprehet solidarizimi i plotë i BE me popullin ukrainas.

Ajo që bie në sy është neni 35 i rezolutës, ku flitet edhe për Ballkanin Perëndimor. Në këtë pjesë, PE paralajmëron Beogradin, që nuk u është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, se ky qëndrim do të dëmtojë procesin e tij të integrimit.

“PE thekson me shqetësim të thellë përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të ndëryrë në proceset demokratike. Denoncon ata që shprehën mbështetje për Federatën Ruse pas agresionit ndaj Ukrainës dhe lëvdon mbështetjen e dhënë nga vendet e Ballkanit Perëndimor (për Ukrainën) që janë aleatët euro-atlantikë. Shprehim keqardhje që Serbia nuk u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, në një vendim që do të dëmtojë procesin e anëtarësimit në BE dhe thekson pritshmëritë se statusi i vendit kandidat për anëtarësim nuk ka detyrime vetëm për të miratuar e zbatuar legjislacionet e përputhura me BE, por edhe detyrimin për një politikë sigurie dhe të jashtme të përbashkët”, thotë rezoluta.

Nga ana tjetër, Kroacia ka propozuar përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimit Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si mjetin e duhur për të luftuar influencën ruse në rajon dhe garantuar paqen dhe stabilitetin.

Përmes një deklarate, Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, pasi mbështeti dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, kërkoi që i njëjti status t’i jepet edhe Bosnjes e Kosovës, ndërsa me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të nisin pa vonesë negociatat e anëtarësimit, ndërsa me Malin e Zi të përmbyllen sa më parë.

Milanoviç shprehu qëndrimin e tij se duhet bërë gjithçka për të parandaluar përhapjen e krizës në Ballkanin Perëndimor dhe për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm në kufijtë e BE.

“Është në interesin strategjik dhe kombëtar të Kroacisë që vendet e Europës Juglindore, të cilat kanë deklaruar dhe dëshmuar synimin dhe gatishmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në BE, të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Presidencës kroate.

Prandaj, vijon deklarata, Presidenti kroat ka propozuar nismëtarëve të letrës së hapur që të kërkohet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE si për Bosnjen, ashtu edhe për Republikën e Kosovës. BE-ja pas premtimeve të përsëritura të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë listë, Presidenti kroat lë jashtë Serbinë. Ai thotë se më parë, Beogradi duhet të qartësohet dhe të heqë dorë nga mbështetja e dhënë për Rusinë. “BE-ja duhet t’i bëjë të ditur Serbisë se tani është momenti i vendimit”, deklaron Presidenti kroat.