Armando Duka njoftoi mbrëmë se do të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ai mbetet kandidati kryesor.


“Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër”, tha Duka në një postim në rrjetet sociale.

Pak orë parpara kësaj deklarate, një njoftim se Gjykata e Tiranës kishte vendosur pezullimin e Armando Dukës si president të FSHF-së u shpërnda nga burime të panjohura. Gjykata e konfirmoi lajmin, por nuk e mori përsipër autorësinë e shpërndarjes së tij.

Dy zhvillimet nuk kanë lidhje, por pas tyre fshihet diçka tjetër.

Zoom.al mësoi nga burime konfidenciale se me shtyrjen e zgjedhjeve, Armando Duka i ka plotësuar një kërkesë kryeministrit Edi Rama.