Mbrëmjen e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor 2017, Sokol Balla do të konfirmonte zërat e shumtë që flisnin për një largim të mundshëm të tij nga Top Channel. Asokohe, dyshimet u bënë edhe më të forta, kur gazetari u fotografua brenda ambienteve të Vizion Plus-it.

Përmes një postimi në Twitter, Balla do të njoftonte fundin e një marrëdhënieje më shumë se 12-vjeçare me televizionin në fjalë.

“Uroj qe jeni duke kaluar bukur. Ky vit mbyll shume kapituj per shume nga ne. Nje nga ata edhe une. Ne kete fund 2017 dua te uroj se pari koleget e mi te @topchanneltv me te cilet kalova me shume 12 vjet te paharruar, dhe me te cilet rruga ime sot ndahet. Gezuar 2018! Koli”, shkroi Sokol Balla.

Ikja e tij ishte finalizimi i një kapitulli që dukej se po mbyllej. Më herët, Balla ishte shkarkuar nga posti Drejtor i Informacionit, ndonëse vazhdoi edhe disa javë drejtimin e emisionit “Top Story”, deri në shkëputjen përfundimtare. Thuhej se shkak i krisjes së marrëdhënieve u bë intervista e Ballës me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, intervistë e zhvilluar në apartamentin e Tahirit.