Pas urdhërit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndaluar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ka reaguar dhe presidenti i vendit Ilir Meta duke thënë se e përshëndet vendimin e sotëm.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta shkruan se nuk ka asnjë provë që të mbështesë justifikimin e Rusisë për luftën dhe se Shqipëria është krah Ukrainës.
Mesazh i Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta:
Përshëndes vendimin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që urdhëron Rusinë të ndalojë pushtimin e Ukrainës.
Duke theksuar se nuk ka asnjë provë që të mbështesë justifikimin e Rusisë për luftën, GjND konfirmon dhe njëherë atë që bashkësia ndërkombëtare në unison ka argumentuar se ky agresion është i pajustifikuar dhe i paprovokuar.
Pushtimi rus i Ukrainës duhet të ndalojë menjëherë dhe forcat pushtuese ruse të tërhiqen nga Ukraina.
Shqipëria është në krah të Ukrainës mike, në mbështetje të luftës së saj heroike në mbrojtje të pavarësisë, integritetit territorial dhe të vlerave europiane.