Një ekonomi si kjo që është krijuar në Shqipëri në 32 vitet e fundit, e cila trumpetohet sikur është një ekonomi që bazohet te tregu dhe konkurrenca e lirë, por në fakt:
- Është një ekonomi thellësisht e përqëndruar në një grusht kompanish private, suksesi i të cilave nuk varet nga mirëmenaxhimi, por varet tërësisht nga marrëdhëniet korruptive me institucionet shtetërore dhe drejtuesit e qeverive, nga ku përfitohen favore korruptive nëpërmjet tolerimit të kontrabandës dhe evazionit fiskal;
- Është një ekonomi e centralizuar ku qeveria është burimi kryesor i mbështetjes së aktivitetit të një pakice kompanish private me rreth 2 miliard USD në vit nëpërmjet buxhetit të saj të investimeve, mirëmbajtjes dhe shpenzimeve të tjera;
- Është një ekonomi e deformuar nga paratë e zeza të krimit të organizuar dhe të korrupsionit shtetëror;
- Është një ekonomi që nuk bazohet te mirëmenaxhimi i resurseve natyrore dhe industria reale e prodhimi vendas, te energjia krijuese dhe shërbimet inteligjente, te industria e dijes dhe kërkim- zhvillimi, te motivimi i burimeve njerëzore dhe rritja e kapaciteteve konkurruese, te zhvillimi i brandeve kombëtare dhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, por bazohet te shfrytëzimi barbar i burimeve natyrore, te shfrytëzimi barbar i burimeve njerëzore, te rritja e analfabetizmit dhe shkatërrimi i institucioneve arsimore dhe kërkimore – shkencore, te devotivimi i të rinjve dhe ndotja e tyre për të braktisur vendin, te rritja e pandalshme e importeve dhe bizneseve tregtare dhe fasoneve, etj.
- Në Shqipëri vazhdon të thellohet çdo vit deficiti tregtar dhe ekonomia bazohet kryesisht te tregtia me shumicë dhe pakicë që zë mbi 50 % të GDP.
- Duket sikur numri i bizneseve aktive në Shqipëri rritet çdo vit dhe aktualisht numërohen rreth 166 mijë subjekte, por realisht pjesa më e madhe e ekonomisë, e pasurisë dhe të ardhurave kombëtare zotërohet nga një pakicë shumë e vogël e kompanive dhe individëve.
Më konkretisht bazuar në të dhëna zyrtare dhe publike, vetëm rreth 0.05 % të kompanive në Shqipëri përfitojnë rreth 30 % të të ardhurave vjetore të të gjitha kompanive ose rreth 40 % të GDP vjetore të vëndit, ndërsa rreth 0.5 % të kompanive zotërojnë rreth 50 % të të ardhurave të vëndit të barabarta me rreth 60 % të GDP vjetore të Shqipërisë.
- Të dhënat e mësipërme janë akoma më dramatike po të përfshihej në analizë edhe vlera galopante e evazionit fiskal që kryhet nga kompanitë e mëdha. Dhe për të mbështetur këtë argument mjafton që të pasqyrojmë nivelin shumë të ulët të fitimeve që deklarojnë çdo vit në organet tatimore kompanitë e mëdha.
- Nga të dhënat zyrtare të publikuara rezulton se mbi 60 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 100 milion USD raportojnë në organet fiskale humbje nga aktiviteti ose një fitim 0.6 % – 2 %. Ndërsa mbi 50 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 10 milion USD raportojnë nje fitim nga aktiviteti 2% – 5 %.
Kjo është arsyeja që niveli i fitimit mesatar të bizneseve në shkallë vëndi është më i ulët se 8 % dhe që të ardhurat e buxhetit të shtetit qëndrojnë në nivele shumë të ulëta nga tatimi i fitimit të korporatave, nderkohe qe kompensohet nga taksat që i paguajnë konsumatorët.
Me këtë strukturë dhe gjendje të ekonomisë së vendit që punon vetëm për një pakicë shumë të vogël do të jetë gjithmonë e vështirë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i vendit dhe rritja e mirëqenies së qytetarqëve shqiptarë.
Edhe situata aktuale e stagflacionit ka rrënjët te modeli i ekonomisë që është ndërtuar në 32 vitet e fundit, një model që prodhon super mirëqenie vetëm për shumë pak individë dhe varfëri dhe mungesë perspektive për 99 % të qytetarëve.