Në botë nuk janë të pakta rastet e ndërtesave të “shëmtuara”, të cilat në shumë raste janë produkt i mungesës së vizionit të projektuesit dhe në disa raste janë produkt i realizimit të dobët të idesë në praktikë. Kjo e dyta, më së shumti për të ulur kostot, pasi janë mashtruar autoritetet me projekte “madhështore” në letër.
Në listën e shkurtër të dhjetë ndërtimeve më të shëmtuara në botë renditet edhe ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1974 si një kombinim i kubeve të veshura me membranë skeletore çeliku dhe kupolave që simbolizojnë trurin dhe dijen.
Specialist të fushës thonë se në këtë rast kemi të bëjmë me një zbatim të keq idesë.
Por dështimi i fundit vjen nga Tirana. Bëhet fjalë për “DownTown One” kulla më e lartë në trojet shqiptare, me afro 40 kate mbi nivelin e tokës dhe me një lartësi 140 metra.
E dizajnuar nga firma holandeze “MVRDV”, e arkitektit të njohur ndërkombëtar Vini Mass, kjo ndërtesë super e lartë do të përmbajë një përzierje të njësive tregtare dhe rezidenciale, disa prej të cilave do të dalin nga fasada e ndërtesës.
Por përveç lartësisë, ajo që synonte ta bënte të veçantë këtë ndërtesë ishte fasada e saj në anën ballore, ku nëpërmjet kubeve të ndërtimit, synohej të ndërtohej në trupin e saj një hartë të copëzuar eShqipërisë, ku banorët do jenë në gjendje të identifikojnë banesën e tyre në bazë të gjeografisë së vendit.
Si ide dhe dizajn natyrisht që bëhet fjalë për një projekt të guximshëm. Por nuk duket të jetë në po të njëjtin nivel realizimi i kësaj ideje.
Kjo më poshtë është foto e projektit se si duhet të ishte kulla.