Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, , pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Hide”. U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

H. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në rrugën “Dritan Hoxha”, në afërsi të një kompleksi pallatesh, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, nga shërbimet e Policisë, është gjetur dhe sekuestruar 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e ndante atë dhe e shiste më pas në doza, në zonën e Laprakës dhe te Fusha e Aviacionit”, njofton Policia. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.