Kryeministri Albin Kurti, nisi vizitën e tij zyrtare në SHBA, ku pritet të takohet me zyrtarë të shtetit.
Në ditën e parë të vizitës, ai është takuar me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
“Një nder i veçantë për të takuar @MCC_CEO, znj. Alice Albright dhe nisja e negociatave të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin, i cili do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë dhe rikonfirmon lidhjen e ngushtë që kanë vendet tona”, shkroi Kurti në Twitter.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, gjatë qëndrimit në Amerikë, Kurti do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje se kush janë zyrtarët me të cilët do të takohet. Kurti javën e kaluar qëndroi në ShBA në një vizitë jozyrtare.
Ai së bashku me shefen e shtetit, Vjosa Osmani morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares Madeleine Albright.
Ndërkohë, tre ditë më parë u prit në Berlin nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ku më pas në darkë joformale, në praninë e të dërguarit special për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.