Në pamundësi për të kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në lagjen Bronx të New Yorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka dërguar një letër urimi organizatorëve të ngjarjes.

Nëpërmjet saj, kryeministri Kurti i ka përgëzuar inicuesit për angazhimin dhe punën e bërë për emërtimin e rrugës me emrin e heroit kombëtar.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti:

“Ju faleminderit për ftesën tuaj për ta kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Crescent Ave dhe Arthur Ave në lagjen e Italisë së vogël në Bronx.

Përmes këtij urimi, më lejoni t’ju uroj përzemërsisht për angazhimin dhe punën që keni bërë për të realizuar këtë emërtim të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Aktualisht jam në Michigan dhe më vjen keq që nuk mund të jem sot aty me juve, mirëpo me të gjithë bashkatdhetarët së bashku ju përshëndesim nga tubimi ynë këtu në Detroit.

Heroi ynë kombëtar është në zemrat tona kudo që ndodhemi e ngado që shkojmë. Mërgata shqiptare është aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeton në komunitet, organizohet politikisht dhe kërkon të lërë gjurmët e saj në topografinë urbane të Nju Jork-ut. Prandaj për të kujtuar identitetin shqiptar kërkon vendosjen e Skënderbeut dhe Fan Nolit si emra të rrugëve në Nju Jork.

Edhe një herë, ju falënderoj për ftesën tuaj dhe mezi pres që të bashkoheni në ngjarjet e ardhshme në Nju Jork”.

Ora 23:50

Kryeministri Kurti takohet me bashkatdhetarë në Chicago të Illinois

Në fund të qëndrimit të tij në Chicago të Illinois, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, pati një takim të përzemërt me bashkatdhetarët tanë atje.

Ai i falënderoi për pritje dhe për kontributin e tyre për Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. Sa herë që takohet me bashkatdhetarë e kupton se një pjesë vitale e popullit tonë ndodhet jashtë vendit, u shpreh kryeministri para tyre. Pavarësisht kësaj, ai tha se ata janë brenda kombit, andaj kanë meritat dhe të drejtat e tyre, por në të njëjtën kohë përgjegjësinë tonë për t’u ndihmuar në forcimin e pozicionit të tyre atje dhe në lehtësimin e kthimit në atdhe.

Gjatë bisedës me ta, kryeministri Kurti shprehu synimin e Qeverisë që nëpërmjet nismës së Dialogut me Mërgatën të rrisë partneritetet me mërgatën dhe bashkëpunimin e tyre me institucionet e Kosovës në arsim, investime dhe inovacione.

Kryeministri Kurti deri tani ka zhvilluar vizita dhe takime në Washington D.C, California, Texas, Iowa, Illinois, ndërkaq sot ka udhëtuar për në Michigan, për të vazhduar pastaj në  Washington D.C.,  Massachusetts e New York. 

Ora 23:00


Kurti para studentëve amerikanë: Kosova është histori e suksesit demokratik

Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Kështu ka theksuar kryeministri Kurti gjatë ligjëratës së hapur para studentëve dhe profesorëve në Universitetin DePaul në Illionis të SHBA-së.

Ai e vizitoi këtë universitet me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”.

Ai tutje ka thënë se përpjekjet e Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, nuk janë gjë tjetër veçse një gënjeshtër, pasi nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

“Kjo tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se 23 vite pas intervenimit të NATO-s, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.  

“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do ta dëshironte.

“Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar që Federata Ruse po bën ndaj Ukrainës, i pari i ekzekutivit tha se imazhet nga kjo luftë për shqiptarët e Kosovës janë veçanërisht të dhimbshme.

“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo është arsyeja pse Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit. “Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, është shprehur Kurti.

Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja ndërmjet tyre është e fuqishme edhe për shkak se ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.