Reshjet e ditëve të fundit në komunën e Deçanit kanë bërë që të rritet shqetësimi tek banorët e disa fshatrave të kësaj komune për turbullimin e ujit të pijshëm.

Komuna e Deçanit ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit në Qendrat e Mjekësisë Familjare janë shfaqur disa pacientë me shenja të helmimit, gjë që ka shqetësuar drejtuesit e komunës, duke marrë parasysh situatën e helmimit të fundit që kishte ndodhur në këtë komunë. Numri më i madh i pacientëve janë paraqitur nga fshati Prapaqan, derisa ka pacientë edhe nga fshatrat Isniq, Dubovikë dhe Gramaqel.

Për këtë arsye kjo komunë ka kërkuar nga IKSHPK që të bëjë analizat e ujit të pijes.

“Në komunën e Deçanit ditët e fundit  ka pasur reshje të shpeshta të shiut dhe meqë komuna jonë para një viti është përballur me një valë të madhe të helmimeve të qytetarëve nga uji i pijes, për shkaqe sigurie sot në mëngjes i jam drejtuar  IKSHKP-së, Insitutit Rajonal në Pejë dhe Ndërmarrjes Rajonale Hidrodrini në Pejë me kërkesën për Analiza të ujit të pijes. I lus qytetarët që mos të shqetësohen sepse gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik”, ka shkruar në Facebook i pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar se IKSHPK, me kërkesë të ndërmarrjes regjionale “Hidro-Drini” (ujësjellësi) në Pejë, janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit, nisur nga shqetësimi se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.

“Janë bërë analizat fiziko-kimike, nesër dhe pasnesër do t’i kemi edhe analizat bakteriologjike të këtyre mostrave. Në koordinim me ministrin e pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja Dafina Gexha Bunjaku ka komunikuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për t’u informuar për nga afër. Gjithashtu, MSh është në kontakt të vazhdueshëm edhe me IKSHPK edhe me Zyrën rajonale të IKSHPK në Pejë dhe me Ministrinë e Ekonomisë – dikasterin përkatës qeveritar, që i mbulon ndërmarrjet e ujësjellësëve. Nuk ka vend për shqetësim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo ministri ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me instancat përkatëse, teksa të hënën, bashkë me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, zyrtarë të MSH-së  do të jenë në Pejë, tek qendra  rajonale e IKSHPK-së dhe në Deçan, ku do të takohen me strukturat e pushtetit lokal dhe drejtues të QKMF-së atje.

Vitin e kaluar rreth 1500 banorë të kësaj komune kishin kërkuar ndihmë mjekësore, me dyshimin se ishin helmuar nga uji i pijshëm.