Mikhail Gorbachev (Gorbaçov), i cili i dha fund luftës së ftohtë pa gjakderdhje por nuk arriti të parandalonte rënien e Bashkimit Sovjetik, ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Mediat ruse njoftojnë vdekjen e presidentit të fundit të Bashkimit Sovjetik në shtratin e spitalit.

Zyra e Gorbaçovit tha më herët se ai po trajtohej në spital, por nuk specifikoi se për çfarë. Mikhail Gorbaçov do të mbahet mend si lideri sovjetik që në vitin 1985 vendosi hapjen e Bashkimit Sovjetik dhe afrimin e tij me Perëndimin, por ai e pa vendin e tij të shkatërrohej në 1991.

Pasi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, vetëm 54 vjeç, ai kishte vendosur të rigjallëronte sistemin duke futur liri të kufizuara politike dhe ekonomike, por reformat e tij dolën jashtë kontrollit.

Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai u përmbajt nga përdorimi i forcës – ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968.

Politika e tij e “glasnost” – liria e fjalës – lejoi kritika të paimagjinueshme më parë ndaj partisë dhe shtetit, por gjithashtu inkurajoi nacionalistët që filluan të bëjnë presion për pavarësi në republikat baltike të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe gjetkë.

Shumë rusë nuk e falën kurrë Gorbaçovin për turbulencat që shkaktuan reformat e tij, duke e konsideruar rënien e mëvonshme të standardeve të tyre të jetesës një çmim shumë të lartë për të paguar për demokracinë.