Eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani ka komentuar sulmet kibernetike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Selmani tha se këto sulme janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Sipas tij, duhet zbutur gjuha dilpomatike ndaj shteteve si Irani apo Rusia.

“Unë e shoh si sulm ndaj pozitës gjeografike shqiptare, në të gjitha visat e trojat dhe jo rastësisht janë 3 lidhje, sulmet iraniane në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjeografia e veprimit janë hapësirat shqiptare dhe ndërlidhen me njëra-tjetrën. Ne duhet të jemi shumë vigjilentë edhe në aspektin politik dhe diplomatik. Kur shprehemi, të mos jemi armiqësor ndaj këtyre superfuqive sepse mund të na sjellin shumë dëm”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mëngjesin e së shtunës se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS. Më parë, Irani kreu sulm kibernetik ndaj vendit tonë më 15 korrik.

Po të shtunë,, faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni të Veriut është përballur me sulm kibernetik.

Ndërsa, infrastruktura informative e qeverisë së Kosovës ra pre e një sulmi kibernetik disa ditë më parë.