Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke prezantuar prioritetet e kryesimit të Maqedonisë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2023, deklaroi se vendet e vogla rrallë e kanë një mundësi të tillë për t’u paraqitur në skenën e madhe.
Ai theksoi se ky është projekt me rëndësi kombëtare dhe njohje e përpjekjeve reformuese në vend dhe e politikës së jashtme proaktive, si një aktor i besueshëm dhe i përgjegjshëm në rajon dhe më gjerë.
Sipas tij, qëllimi i kryesimit të OSBE-së është të inicojë proces me fokus njerëzit, qytetarët e vendeve pjesëmarrëse, veçanërisht ata që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.
Shefi i delegacionit të Kuvendit në OSBE, deputeti Igor Janushev, tha se kryesimi është një angazhim serioz, “zbatimi i suksesshëm i të cilit paraqet interes të përbashkët”.