Prokuroria e Tiranës ka ekzekutuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për arrestimin e 13 personave të përfshirë në skema të mashtrimit me tatimet në kompanitë ku punonin.
Në njoftimin për mediet nga Prokuroria e Tiranës, bëhet e ditur se arrestimi i tyre erdhi pas hetimeve të nisur në 2020 në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me Drejtorinë Policisë Tiranë.
Pas përfundimit të hetimeve, Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për personat e përfshirë, në këtë skemë të mashtrimit me TVSH ku ndaj 13 personave është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” dhe 4 “detyrim paraqitjeje”.
Sipas prokurorisë, subjektet funksiononin si furnizuese dhe lëshonin fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor.
Këto fatura fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale 1,257,082,590 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe TF, afërsisht 300,000,000 lekë.
Me kontabilizimin e kësaj vlere, të arrestuarit kanë ulur pagesën e TVSH mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore kanë ulur normën e TF.