Kryeministri Edi Rama do të takohet sot me ambasadorët e huaj në vendin tonë. Mësohet se në fokus të bisedës do të jetë projektligji i qeverisë për amnistinë fiskale.

Edhe një herë tjetër Kryeministri Rama u shpreh më se i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarëve.

Rama tha dje për gazetarët se asgjë nuk e ndal këtë qeveri për të legalizuar paratë e shqiptarëve, ndërkohë që duke folur për ata që e kundërshtojnë këtë nismë, kryeministri përmendi edhe rastin e Partisë Demokratike, e cila financohet nga një vend armik, duke folur për skandalin e lobimit rus.

Kryeministri nënvizioi se ai do të tentojë arritjen e një dakordësie me të huajt, por kujtoi se interesi si shqiptarëve është parësor. 

Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.  Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.