Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), çdo përdorues i shërbimeve celulare konsumoi mesatarisht 7.77 GB internet në muaj, shifër kjo 7.5% më e lartë krahasuar me mesataren e tremujorit të parë dhe 30.5% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Trafiku total i internetit i gjeneruar në rrjetet celulare gjatë tremujorit të dytë arriti një total prej rreth 49 milionë GB, shifër kjo 33.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AKEP, në fund të tremujorit të dytë numëroheshin 2.1 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, 2.1% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Edhe ky tremujor po konfirmon tendencën e shpejtë të orientimit të përdorimit të celularit drejt shërbimit të internetit. Interneti po zëvendëson në një masë të madhe edhe shërbimet klasike të komunikimit direkt nëpërmjet rrjetit, si thirrjet zanore apo mesazhet e shkruara. Aplikacionet e lloji OTT të komunikimit po sjellin një ulje të vazhdueshme të këtyre shërbimeve. Sipas AKEP, për tremujorin II, ra në 1.3 milionë minuta, 8.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përdorimi mesatar mujor i thirrjeve nga çdo përdorues zbriti në 167 minuta, 13.3% më pak krahasuar me tremujorin II 2021./Monitor