1-Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku ka bërë një vizitë së bashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim në termocentralet lundruese të ankoruara në zonën e Petroliferës në Vlorë.

Balluku u shpreh se këto termocentrale ulin kostot në krahasim me blerjen e energjisë në import dhe dha garanci se janë në përputhje me standardet mjedisore

Ambasadorja Kim u shpreh se është e lumtur për ndihmën amerikane në këto kohë të vështira

2-18 punonjës dhe ish-punonjës të burgut të Fierit janë dënuar me masën arrest shtëpie në mungesë për shpërdorim detyre.

Pas punës së Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, janë kryer ekzekutimet e vendimit të gjykatës, masë me “arrest shtepie”.

Ata dyshohet se kanë abuzuar me lejet e hyrje-daljeve të të dënuarve.

3-Kryesia e Partise Demokratike ka miratuar ngritjen e një grupi auditi për financimet ruse.

Burime nga kryesia e PD bëjnë me dije se grupi i auditit do kalojë në skaner veprimet e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha lidhur me akuzat për marrjen e parave ruse gjatë fushatës së 2017.

Mësohet se grupin e auditit që do hetojë Bashën do e drejtojë Ledina Mandia, ndërkohë anëtarë të komisionit do të jenë, Florion Mima, Edmond Spaho, Aldo Bumci dhe Enno Bozdo.

4-Nxënësit e shkollës private “Mehmet Akif Ersoy” kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që vendosi mbylljen e këtij institucioni arsimor, me arsyetimin se ka identifikuar një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi.

Nxënësit kanë marshuar drejt Kryeministrisë për të kërkuar shfuqizimin e vendimit për mbylljen e shkollës.

Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në rrjetin social “Twitter”, shkruan se pronarët e shkollës private ndryshuan vendndodhjen e godinës pa marrë leje:

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”.

5-Duke folur në bilancin e sezonit turistik që lamë pas, Rama theksoi se ka patur nje bum turistësh qe shihet jo vetëm nga të dhënat e marra nga hotelet, por dhe nga numri i lartë i apartamenteve që jepen me qira për vizitorët që zgjedhin kryeqytetin si destinacionin e pushimeve të tyre.

6-Fasha e konsumit për energjinë 800 KW mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë nuk hyri në fuqi ne dt 1 tetor, sikurse ishte njoftuar nga kryeministri Edi Rama.

Rama, në një videomesazh të shpërndarë në “Facebook”, tha se brenda këtij muaji, KESH ka ulur ndjeshëm kërkesën për energji. Përveç shirave, në vendimin për të hequr dorë nga vendosja e fashës ka ndikuar dhe reagimi pozitiv i konsumatorëve, sipas tij.

7-Shqipëria nënshkroi një kontratë të shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se kontrata ka vlerën 6 milionë dollar dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2”, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë.

Ai sqaroi se satelitët do të ndihmojnë në përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Satelitët do të ndihmojnë shumë fusha, si Policinë e Shtetit apo ministrinë e Bujqësisë.

8-Një ngjarje e cila mund të kishte përfunduar tragjike është parandaluar në Tepelenë, ku një 17-vjeçar pas konfliktit me bashkëmoshatarët ka marrë armën dhe është rikthyer sërish tek po i njëjti vend.

I mituri me iniciale R. H., banues në Tepelenë, është vënë në pranga pas ngjarjes dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatik me krehër me fishekë, dhe një sasi me lëndë narkotike.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.

Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

9-Eshte zhvilluar publikisht Konkursi Ndërkombëtar mes 5 studiove prestigjoze të arkitekturës, për një ndërtim të ri ambicioz në Tiranë, i cili do të forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin.

“Sibra” u shpall projekti fitues për qendrën shumë funksionale në Tiranë, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se qendra e re do të kompletojë kurorën rreth sheshit “Skënderbej”.

“Do të ketë disa hapësira, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hoteleri dhe argëtim, që do të kompletojë kurorën rreth sheshit “Skënderbej”, ashtu siç ka qenë plani francez origjinal, ne përputhje me kërkesat gjithmonë e në rritje të një qyteti që këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe vitin tjetër, me shprese do te jete Kryeqyteti Europian i Sportit”, tha Veliaj.

10-Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë diskutimit me dyer të mbyllura në mbledhjen e Këshillit të PD-së ka thënë se mbështet protestën e sindikatës së universiteteve më 5 tetor.

“Data 5 është caktuar nga sindikata e universiteve si ditë proteste. Të gjitha degët do të dërgojnë mundësisht çdo student. Në orën 10 tek Univesiteti Politeknik duhet të jetë angazhim i madh i yni në solidaritet me pedagogët. Mbështetja jonë është e rëndësishme, është protestë e sindikatave. Ne do bëjmë gjithçka që këtë rifillim beteje me sindikatat ta shndërrojmë në histori suksesi. Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e protestave më 5 tetor”, tha Berisha.