Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbledhur sot partinë e tij ku është diskutuar për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend.

“Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat. Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë e cila kërkon zgjidhje urgjente. Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë”, ka shkruar Haradinaj.

Qeveria e Kosovës nuk i ka ekzekutuar pagat e shtatorit për mësimdhënësit grevistë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkruar të martën në Facebook se mësimdhënësit do të kompensohen vetëm për punën e kryer.

Mosekzekutimi i pagave ka nxitur reagimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), zyrtarët e të cilës kanë thënë se do të presin më së largu deri më 5 tetor kur është edhe afati ligjor për ekzekutimin e pagave./koha