Vendimi i Entit Rregullator energjitik është botuar në fletoren zyrtare duke u bërë i zbatueshëm, ndërsa qeveria lajmëron që gjatë tetorit konsumatorët familjarë që kalojnë 800 kW nuk do të faturohen me çmimin e ri. Në kuadër të krizës energjitike, Qeveria ka vendosur që të gjithë institucionet shtetërore të kursejnë rreth 15% të energjisë duke e krahasuar me një vit më parë. Nëse kursimi nuk arrihet brenda 2 muajve, drejtuesit e institucioneve do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Deklarata e ministres Balluku:
“Duam ta sqarojmë por është pak komplekse. Fasha 800 kilovat, ERE shprehet për miratimin e çmimit. Ne i kemi bërë kërkesën ERE-s, dhe ERE ka thënë se çmimi miratohet ky është detyra e ERE. Por kur qeveria shikon se qytetarët reflektojnë por edhe për kushtet e motit përmirësohen. Nuk e aplikojmë fashën gjatë muajit tetor. ERE ka marrë vendimin e kësaj fashe. Por qeveria po mbron biznesin e vogël dhe familjet.
Përmes këtij projekt akti kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore që duhet të kursejnë 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë. Kjo është ekuivalente në para e barasvlershme me 3.4 miliardë lekë. Do të emërojmë administrator energjetik nga titullari i institucionit dhe do të ketë target uljen e konsumit të energjisë për ndërmarrjen që përfaqëson. Parashikohen edhe masat nëse për 2 muaj nuk arrihet targeti nga institucioni. Masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin apo përgjegjësin e emëruar”.