Qeveria pritet të lehtësojë barrën mbi produktet energjetike, por do të dyfishojë gjobat për të gjithë evazorët tatimorë dhe ata që fshehin pagat reale, pasi dëmi në kushtet e çmimeve të rritura është më i lartë në buxhet.

Ndryshimet më të mëdha në paketën fiskale qeveria i ka menduar për evazionin fiskal, duke ashpërsuar gjobat. Kështu gjoba për mosdeklarimin e punonjësve është 200% e detyrimit për entitetet juridike dhe 100% për të tjerët.  Për moslëshimin e faturave për furnizim, gjoba do të dhjetëfishohet nga 150 000 deri në 1 500 000 lekë.  Nxjerrja e mallrave pa faturë, do të gjobitet me 750 000 lekë, nga 75 000 që është aktualisht dhe nëse rasti përsëritet do të ketë edhe kallëzim penal.

Ndërkohë, qeveria ka ulur masën e gjobës për mosdorëzimin në kohë të deklaratës së të ardhurave, nga 5000 në 3000 lekë. Ndërsa për mospagesën e tatim fitimit gjoba bëhet sa 10% e këstit + kamatvonesë.