I sh-kryeministri Sali Berisha është në panik nga vendimi i 3 nëntorit, pasi ajo është dita kur drejtimi i Partisë Demokratike me vendime gjykatash pritet të marrë fund. Kjo do të jetë data që Gjykata e Apelit në Tiranë do të mbajë seancën që do të përcaktojë se kush do ta mbajë vulën e Partisë Demokratike. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se Gjykata e Apelit pritet që të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, pavarësisht se Sali Berisha po e shantazhon atë dhe madje ka paralajmëruar se nuk do të njohë asnjë vendim të saj. 3 nëntori pritet të përfundojë për Berishën si “Nata e Shën Bartolomeut”, një masakër e vërtetë me humbje shumë të mëdha sipas historisë. Por çfarë po ndodh në prapaskenë? Burime të gazetës bëjnë me dije se Berisha po luan çdo kartë që Partia Demokratike të mbetet në dorë të tij pavarësisht vendimit të Apelit, pasi nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vendosë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top. Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Prapaskenat e luftës së fshehtë brenda PD Nga paniku se do të humbë Partinë Demokratike, Sali Berisha e nisi si fillim me joshjen e deputetëve me poste dhe ofiqe që të rikthejë në normalitet jetën parlamentare të demokratëve duke marrë shumicën e grupit dhe duke larguar nga drejtimi i tij, Enkelejd Alibeajn. Ai piketoi demokratët e pakënaqur me linjën e Alibeajt, por edhe ata që kërkonin poste të reja. Por ky skenar nuk i eci dhe Berisha kaloi në fazën e dytë. Atë që di të bëjë më mirë. Me kërcënime e shantazhe me dosje për demokratët që i kanë dalë kundër. Madje burime të sigurta i thanë gazetës se segmente të “Foltores” jo vetëm që kanë shantazhuar gjyqtarët që kanë në dorë fatin e PD, por u kanë dërguar edhe mesazhe kërcënuese demokratëve mbështetës të Alibeajt dhe Bashës duke iu kërkuar që të mos afrohen më në godinën e Partisë Demokratike. Mësohet se personat në fjalë, janë porositur nga Berisha dhe ithtarët e tij, që të provokojnë Enkelejd Alibeajn dhe para se të shprehet gjykata e Apelit, ai duhet të përzihet nga zyrat, së bashku me deputetët që mbështesin atë, përfshi Lulzim Bashën. Pra, po punohet fort në prapaskenë që përmes presionit, dhunës dhe shantazhit, të uzurpohet gjithë godina e Partisë Demorkatike, pa folur ende gjykata e Apelit. Berisha kërcënon me dosje Përdorimi i dosjeve është një praktikë e njohur e ish-kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur peng figura të njohura në Partinë Demokratike. Afrimi i 3 nëntorit ka shtuar kërcënimet e Berishës me dosje. Nëse disa demokratë të njohur në PD, në pamje të parë gdhihen dhe ngrysen vetëm me Sali Berishën në mëndje dhe në zemër, “shpirtërisht” i shqetëson diçka. Tek besnikët e ish-kryeministrit shohim politikanë që kanë mbajtur për vite me radhë në periudhën e qeverisjes së Sali Berishës poste të larta dhe ka nga ata që nuk po e braktisin kurrë edhe pse të gjithë ndërkombëtarët ia kanë mbyllur dyert dhe kanë paralajmëruar se nëse Berisha do të jetë në krye të selisë blu edhe Partia Demokratike do të shpallet “non grata”. Si fillim përmendim dosjet e ish-Sigurimit që disponon Sali Berisha. Ai e ka përdorur qartazi këtë instrument për të mbajtur në kontroll Partinë Demokratike, pasi Berisha e ka instrumentalizuar çështjen e dosjeve, duke mos bërë diçka serioze, por duke lejuar që në sistem të futeshin dhe bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit. Ai kurrë nuk i hapi ato, por me gojën e tij ka deklaruar se i ka parë të gjitha dosjet dhe kjo mund të detyrojë disa personalitete në PD që të mos e braktisin në luftën e tij për të mbajtur partinë, qoftë edhe me forcë nëse Apeli ia heq nga duart. Ndërkombëtarët njohin Alibeajn Gjykata e Apelit ka nga mbrapa dhe “presionet” e ndërkombëtarëve, të cilët janë shprehur qartë se kujt i takon Partia Demokratike. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mesazhi është i qartë: kryetari i PD-së është deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. “Nuk është garë popullariteti për ne. Për ne ka të bëjë me shtetin ligjor. Ne u takuam me Z. Alibeaj në detyrën e tij si kryetar i grupit parlamentar dhe si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jemi të qartë mbi shtetin ligjor. Nuk mund thjesht të shkosh në anën e atij që ka më shumë pushtet. Do të ishte paligjshmëri”, ka thënë pak ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Alarmohet Berisha Nga ana tjetër, Berisha e ndjen frikën e humbjes në Apel. Sinjalet i ka dhënë ditët e fundit, pas kërkesës që i ka bërë grupit të Lulzim Bashës. Ka disa ditë që Berisha shtriu dorën e bashkëpunimit dhe grupi parlamentar së fundmi me në krye Alibeajn ju përgjigj pozitivisht. Ata mandatuan Gazment Bardhin që të diskutohet me qëllim që të dilet me një kandidat të përbashkët në zgjedhje. Berisha nuk e ka ende vulën e PD dhe do jetë gjykata që do të vendosë më 3 nëntor se kushdo e drejtojë padinë. Por besnikët e Sali Berishës deklaruan para mediave se tani ka ardhur koha që të hiqet dorë nga kjo padi. Pra si përfundim, data 3 nëntor pritet të jetë “funerali” i Sali Berishës.