Ne na kanë rritur gjyshërit, xhaja, vëllai i madh e ҫfarë na gjeti? Kjo do të ishtë një nga pyetjet më pa vend që mund të bëhen në këto kohë kur jo vetëm jeta ka ndryshuar, por edhe vetë koncepti i edukimit. Të rrisësh një fëmijë nuk do të thotë vetëm ushqimi i tij dhe prezenca në shtëpi, por shumë më tepër. Sa i përket gjyshërve mund të theksojmë se ata kanë një dashuri të pakushtëzuar për nipërit dhe mbesat dhe janë tepër emocional në shumë situata. Ata mund të përpiqen të bëjnë më të mirën, por po flasim për kohë që ndryshojnë kaq shumë me brezin e tyre dhe shpesh herë mund të lindin konflikte brenda tre brezave.
Nëse do hedhim një këndvështrim në botë, sipas të dhënave në Shtetet e Bashkuara, afërsisht 2% e gjyshërve jetojnë me nipërit. Në Afrikë dhe Azi, të jetuarit në një familje me shumë breza është një praktikë e zakonshme. Kohët e fundit në vendin tonë tendenca po shkon drejt familjes bërthamë (e vogël). Më tepër sesa si tendencë, krijimi i familjeve të vogla vijnë edhe për shkak të migrimit, dëshirës për më shumë pavarësi vendimarrje dhe ekonomike, apo për një vendodhje më të përshtatshme e cila lidhet arsim më të mirë për fëmijët etj. Janë kryesisht zonat rurale ato që spikasin më shumë me formën e bashkëjetesës me disa kurora. Zakonisht këto familje jetojnë në një hapësirë fizike të përbashkët po aq dhe të ndarë njëkohësisht. Këtu ftilet për shtëpi private ku në secilin kat jeton nga një familje. Megjithatë ndërlidhjet midis njëri tjetrit janë të ngushta po t’i krahasojmë me famijet e tjera të cilat janë shkëputur totalisht.
Po le të rendisim disa përparësi dhe problematika të cilat lidhen më shumë me edukimin e fëmijës në dy llojet e familjeve:
Përparësitë:
Kur prindërit dhe gjyshërit kanë harmoni me njëri tjetrin atëhere jetesa është më e lehtë dhe arrihet më mirë komunikimi. Gjyshërit në shtëpi sjellin një pozitivitet dhe priren të angazhohen për më të mirën, sidomos për më të vegjëlit. Në një studim të vitit 2020, Xiaoëei Li dhe kolegët e saj bënë një hulumtim për efektet e bashkëprindërimit me gjyshërit te fëmijët parashkollorë.
Sipas të dhënave dolën se gjyshërit në këto familje luanin një rol në mirëqenien social-emocionale të fëmijëve. Po sipas këtij studimi shpjegohet se se kur marrëdhëniet bashkëprindërore të prindërve me gjyshërit nuk janë në harmoni, atëherë ka propabilitet për konflikte të vazhdueshme, e cila ndikon në mjedisin emocional të familjes dhe, nga ana tjetër, edhe në energjinë dhe qëndrueshmërinë e fëmijëve.
Shumë fëmijë zhvillojnë marrëdhënie të forta me gjyshërit e tyre dhe janë mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen e gjyshërve të tyre. Po ashtu nga ana tjetër, nëse arrihet një marrëveshje financiare, mund të ketë ndihmesë si për ҫiftin e ri sidomos para se të bëhen prindër, por edhe për gjyshërit kur arrijnë në moshë pensioni.
Problematikat
Dubowitz dhe kolegët e tij raportuan studime që tregojnë se fëmijët nën kujdesin farefisnor kanë më shumë probleme të sjelljes, emocionale dhe të lidhura me shkollën sesa fëmijët në përgjithësi.
Sigurisht që studimi i referohet më shumë pjesëtarëve të tjerë të familjes se sa në veҫanti gjyshërve. Problemi qendron se po të flasim konkretisht për familjen në vendin tonë ende dominon familja patriarkale ku komandon burri më i vjetër. Në këto familje ndërhyrjet dhe jo stabiliteti në komunikim mund të sjellin konflikte midis prindërve dhe kjo përcillet te fëmija. Shumë fëmijë të rritur nga gjyshërit u referuan për trajtim klinik për shkak të problemeve me përqendrimin, hiperaktivitetin, depresionin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe izolimin social (Edwards & Ray, 2008).
Si përfundim këto të dhëna që përmendëm na nxjerrin në disa konkluzione të qarta.
– Prindërit janë modeli dhe edukuesit kryesor për fëmijën.
-Edukimi i prindit nuk zëvendësohet dot me asnjë pjesëtar tjetër të familjes.
-Nëse në një familje dominojnë zakone të cilat shtypin lirinë dhe vendimarrjen e prindërve, konfliktet do të jenë të vazhdueshme dhe reflektojnë si pasojë edhe te fëmijët.
– Gjyshërit kanë një rol të rëndësishëm në jetën e nipërve dhe mbesave, por nevojitet një bashkëpunim në formën e edukimit të tyre me prindërit.