Demokratët hapën garën e primareve në tre bashki, atë të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Nga mbledhja e Kryesisë, Sali Berisha tha se procesi do jetë transparent duke e cilësuar jetik për rikthimin e votës në vend.
“Është një betejë për të vendosur në themel të shtetit ligjor vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Janë zhvilluar dhe do të zhvillohen takime intensive me aleatët tanë. Mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre. Mirëpriten kandidaturat e tyre”.
Por ky nuk do jetë i vetmi aksion i opozitës. Sali Berisha paralajmëroi nisjen e protestave ndaj duke nisur nga e mërkura tha se do të nisë takime me degët e Partisë Demokratike të Tiranës për organizimin e tyre.
“Do të takohem me kryetarët e degëve të Tiranës të ndajmë detyrat dhe të angazhohemi në një veprimtari shumëplanëshe. Primaret janë primare, protestat janë protesta, nuk shtyhet më protesta. Përndryshe kjo qeveri nuk ka më të ndalur. Kanë filluar përsëri të grumbullojnë kartat e identitetit. Po përgatisin prapë kasaphanën zgjedhore”.
Edi Ramën e cilësoi antishqiptar duke ironizuar deklaratat e tij me rektorët dhe dekanët e universiteteve.
“Ky ka konceptin e etërve të tij të cilët ishin për arsimin selektiv. Ua them studentëve dhe pedagogëve, kjo është politika që ndiqej në diktaturë. Tani ka gjetur mesatare për të kufizuar hyrjen çka nuk e bën askush”.
Jo pak e sulmoi edhe kur foli për vendosjen e taksës së jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë.
Për Sali Berishën, kryeministri Rama është një antishqiptar që ka një urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve ndaj zgjidhja është largimi i tij nga pushteti./tvklan