Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se drafti gjerman për asociacionin i prezantuar të enjten në disa media është lajm i rremë dhe se ai nuk ekziston e as nuk do të ekzistojë.

“Nuk kemi në tavolinë ndonjë draft lidhur me Asociacionin. Është një fake news”, tha presidentja të premten në një konferencë për media, në prag të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Sipas saj, Gjermania dhe aleatët e tjerë nuk do të kërkojnë nga Kosova asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Këtë presidentja thotë se e ka rikonfirmuar edhe sekretari amerikan Antony Blinken.

Osmani foli edhe për iniciativën franko-gjermane, e cila sipas saj, ka për qëllim intensifikimin e dialogut.

Ajo theksoi se do të ketë takime në javët në vijim nga përfaqësuesit franko-gjermanë për të dhënë detje rreth iniciativës. Ajo tha se qëllimi i tyre është i mirë. Megjithatë, presidentja tha se në asnjë mënyrë nuk do të tolerojnë të cënohet sovraniteti i Kosovës./rtv21