12 mijë shqiptarë janë larguar me gomone drejt Anglisë këtë vit, dhe piku i lëvizjes ka qenë nga qershori deri në tetor sipas të dhënave të dala nga Komisioni i Çështjeve të Brendshme në parlamentin britanik.

Në 2020-tën, kjo shifër ishte vetëm 50 theksojnë me shqetësim ligjvënësit anglezë. Vitin e kaluar shkoi në 800 dhe këtë vit pëson kapërcimin e frikshëm, i cili duket i detyrohet dhe faktit qe përmes rrugës detare paguajnë një çmim më të ulët, 4 mijë krahasuar me 22 mijë paundët që mund të kushtojë kalimi me kamionë. Nga këta 12 mijë emigrantë të paligjshëm, 10 mijë janë meshkuj të rritur.

Vetëm 12% e meshkujve shqiptarë arrijnë ta fitojnë azilin, dhe një pjesë e mirë e tyre, as nuk lodhen fare ta kërkojnë. Rritja e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që tentojnë hyrjen me gomone në Britani, nxiti ish sekretaren e brendshme Priti Patel të kërkonte mënyrat për kthimin e shpejtë të tyre mbrapsht, me argumentin kryesor faktin që Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë dhe se emigrantët që mbërrijnë në këto lloj rrugësh prej andej, e kalojnë përmes vendesh të tjera gjithashtu të sigurta në rrugëtimin e tyre, do të llogaritej se në mbërritje, bëjnë kërkesa të rreme azili./topchannel