Sindikata e pedagogëve mbetet e vendosur për të nisur të mërkurën grevën e urisë duke i lënë afat qeverisë deri në orën 16:00 për të ndryshuar qëndrimin e saj.
Sipas Sandër Kovaçit, kreut të Sindikatës së Punonjësve Universitarë, rritja e pagave me 8% nga buxheti i vetë universiteteve, nuk është i mjaftueshëm. “Ne kemi njohur vetëm 7% si rritje. Universiteti i Tiranës ka rritur 8% vetëm për këtë periudhë dhe nuk ka asnjë garanci për vitin e ardhshëm. Kurse universitetet e tjera, si Politekniku, edhe ai gjatë kësaj periudhe, këtë tremujorësh, mund ta mbulojë me shumë vështirësi. Përveç mjekësisë, ndoshta ata kanë më shumë buxhet. Universitetet e tjera nuk kanë asnjë lloj mundësie për të arritur 8%-shin. Për shembull, rritja me 8% në Universitetin e Shkodrës do të kushtonte 200 milionë lekë, ndërsa të ardhurat ishin vetëm 100 milionë”, tha Kovaçi.