Ekspertët e sigurisë në Kosovë, thonë se gatishmëria e ushtrisë serbe për shkak të dronëve, që sipas autoriteteve në Serbi kanë hyrë nga Kosova, është vetëm një presion nga ana e Serbisë, që i bën atëherë kur mund të ketë zhvillime të rëndësishme politike që mund të ndodhin në Kosovë.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha për Radio Kosovën, se kjo është bërë pasi Serbia tani është në një situatë të palakmueshme për sa i përket draft propozimeve dhe marrëveshjes finale eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ditëve të fundit, shteti i Serbisë ka bërë të ditur se ka ngritur gatishmëri ushtarake për shkak, që siç thonë, të dronëve që kanë hyrë nga Kosova në Serbi dhe që kanë vëzhguar pozicionet dhe objektet e ushtrisë serbe. Ndërkohë, në Kosovë kanë demantuar se dronët kanë shkuar nga territori i tyre. Por, eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, tha se këtë gjë Serbia e bën gjithmonë në momentet kur mund të ketë zhvillime të rëndësishme politike për Kosovën. Ai tha se kjo është një politikë e presidentit të Serbisë, Vuçiq, si një presion diplomatik që mund të destabilizohet rajoni

“Kjo është bërë më shumë në aspektin propagandistik, pasi Serbia tani është në një situatë të palakmueshme për sa i përket draft propozimeve dhe marrëveshjes finale eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, mendoj që institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i përgjigjen çfarëdo nevoje dhe kërcënimi që mund t’i vijë, sepse ne kemi një partneritet të vazhdueshëm me strukturat ndërkombëtare të sigurisë në Republikën e Kosovës. Ndërkohë, Serbia ka marrë edhe një notë verbale për sa i përket cenimit të interesave të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, tha ai

Shala tha se aktualisht aspekti i sigurisë së Kosovës dhe mbrojtjes së kufirit është në duar të Policisë së Kosovës. “Bazuar në rrethanat politike ndërkombëtare, ende Kosova nuk ka mundësi për të dërguar ushtrinë e saj për të mbrojtur brezin kufitar”, tha Shala.

“Për sa i përket asaj se sa jemi të gatshëm, unë mendoj se Policia e Kosovës ka kapacitetet e saj për t’u përballur me çfarëdo aktiviteti në strat që mund të cenojë sigurinë nacionale të Kosovës. Në këtë aspekt, sistemi i sigurisë në Kosovë kalon nëpër tri faza: në fazën e parë reagon Policia e Kosovës, në fazën e dytë EULEX-i dhe në fazën e tretë është KFOR-që, në rast se cenohet integriteti territorial. Por, në rast se të themi në mënyrë hipotetike, se mund të kemi ndonjë invazion të mundshëm ushtarak, i cili cenon drejtpërdrejt integritetin territorial të Republikës së Kosovës, mendoj që në këtë rast FSK duhet t’i mënjanojë të gjitha pengesat politike për t’iu përgjigjur interesave të shtetit të Kosovës, për ta mbrojtur dhe garantuar që asnjë centimetër i Kosovës të mos cenohet nga ushtria e Serbisë”, tha Shala

Reagime ka pasur edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se pretendimet e tilla të Serbisë, janë mjet për përhapjen e panikut te qytetarët./gazetablic