Ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar në lidhje me dorëheqjet masive nga pala serbe që po ndodhin kohët e fundit në Kosovë.
Xhelal Sveçla tregoi një shifër të dorëheqjeve deri më tani, ku numrin më të lartë e mbajnë policët e rendit publik dhe kufitarë.
“Deri më tani janë pranuar njoftimet për dorëheqje 578 dorëheqje prej të cilave, 461 nga policia e rendit publik, 107 nga policia kufitare dhe 10 nga hetimet. Dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve dhe shantazheve me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre zyrtarëve policor nëse nuk japin dorëheqje. Institucionet po punojnë për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.
Njëkohësisht për këtë situatë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se Serbia po dirigjon këto vendime duke refuzuar planin franko-gjerman.
“Nuk bëhet fjalë as për tabela, as për Asociacion, as për Gjuriqin, bëhet fjalë vetëm për kundërshtimin që ia kanë bërë Evropës dhe BE-së. Këtë koordinim që e kanë me Kremlinin dhe Putinin, këtë po e përdorin te ata që ende i dëgjojnë, si pjesëtarë të strukturave kriminale. Çka po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive. Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Rruga që ka zgjedhur është kërcënimi i qytetarëve”.
Ai tha se janë kërcënuar edhe më parë për të njëjtat vendime që morën, por njëkohësisht u bënte thirrje për të vijuar punën.